Diaspora
Elton Shametaj, një histori suksesi në Amerikë!
Elton Shametaj, një histori suksesi në Amerikë!
Nga Kozeta Turishta
Dritare.net sjell gjithnjë histori të njerëzve të suksesshëm përtej oqeanit, por këtë herë ekskluzivisht do të kemi më shumë sesa një histori nga ato që të bëjnë krenar dhe frymëzojnë njerëz drejt suksesit.
Shqipëria një vend i vogël me njerëz të mëdhenj, të shquar e të suksesshëm në dimensione të ndryshme që përherë e më shumë po i japin dritën e merituar emrit të saj duke valëvitur flamurin kuq e zi me nder e dinjitet ashtu siç i ka hije bijve të saj, t’i tregojnë botës që Shqipëria ka vajza e gra, djem dhe burra me vizione dhe të talentuar ku dinë vetëm të shkëlqejnë.
Si gazetare në këto 6 vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam takuar e njohur njerëz të ndryshëm, personalitete të të gjitha fushave. Jam takuar dhe njohur nga afër me histori të ndryshme njerëzore dhe jo vetëm. Dhe gjithmonë kam zgjedhur t’i sjell lexuesit ato ngjarje që japin motiv dhe shpresë për të ardhmen e që bëjnë krenar këdo sepse suksesi është një mision që kërkon shumë punë, besim dhe dedikim. Është privilegj të shkruash për ato personazhe që kanë arritur suksesin e tyre në një vend të huaj, pa harruar rrënjët dhe origjinën e tyre shqiptare.
Sot, dua të ndaj takimin tim me një djalë shqiptaro-amerikan që quhet Elton Shametaj.
Është një privilegj dhe nuk ndodh shpesh të njohësh njerëz të punës e të suksesit, por të thjeshtë dhe modestë. Një tjetër histori që më ka lënë vetëm respekt dhe mbresa pas shumë kërkesave të mia si gazetare për të pasur një intervistë me Eltonin, për shkak të angazhimeve të tij impenjative, si veprimtar i njohur dhe një nga koordinatorët e “American Albanian Law Enforcement of NJ”, Organizata e vetme e Punonjësve të Policisë për gjithë Nju Xhersin. Kjo organizatë është kthyer në një institucion të rëndësishëm për vetë faktin e binjakëzimit mes Policisë Shqiptare, Emergjencës Civile dhe Ushtrisë në Shqipëri, tashmë prej vitesh simotra ku kjo qendër ka ndihmuar Shqipërinë sepse Policia e Nju Xhersit është shtylla kryesore në ndikimin dhe fuqizimin e çdo metode moderne që lë impakt direkt në Policinë e Shtetit shqiptar.
Organizata i vjen në shërbim komunitetit, me aktivitete dhe hapësira të nevojshme, ku së bashku me anëtarët e saj, hartojnë programe dhe ide të reja për realizimin e shumë projekteve me mbështetje të veçantë dhe nga dy Policitë e Shteteve të Nj dhe NY, ku në rreshtin e saj ka edhe oficerë policë shqiptaro-amerikanë që i shërbejnë këtij misioni fisnik me përulësi dhe besë. Një ndër to është dhe oficer, Elton Shametaj si pjesë e Departamentit të Policisë së NY. I shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i nderuar me çmime, grada, e diploma të ndryshme përgjatë viteve të karrierës së tij në Policinë e Nju Jorkut , e jo vetëm pasi Eltoni, gjithashtu ka qenë dhe një nga themeluesit e “Ilirian Society Law Enforcement” dhe vazhdon ende të japë kontributin e tij të madh pranë qendrës shqiptaro- amerikane të punonjësve të policisë, si një shqiptar që dëshiron të lërë gjurmë dhe të bëjë më të mirën për shqiptarët. Kjo organizatë ka mbi 200 anëtarë oficerë policie, janë jo vetëm të policisë lokale, por asaj të shtetit dhe federale.
Roli i z.Shametaj në këtë organizatë është një vlerë dhe kontribut i vyer pasi është në shërbim të komunitetit duke ofruar sigurinë e rendit publik, ofron një mundësi të madhe për fëmijët, ato djem e vajza që kanë ëndrra e pasione për policinë e jo vetëm. Nëpërmjet kësaj Shoqate përfitohen bursa shkollore të shkëlqyera, ndër vite është bërë gjithashtu dhe një urë e ngushtë bashkëpunimi mes Policisë së Shqipërisë, asaj të Kosovës me Policinë e Nju-Jorkut. Eltoni shprehet tepër krenar për këtë dritare të madhe mundësish për Shqipërinë dhe Kosovën.
Elton Shametaj, është një nga ato historitë e suksesshme ku e ka ndërtuar karrierën e tij vetëm me punë, pa reklama e fjalë, duke mbajtur një profil të ulët mediatik, që vetëm nëpërmjet punës së tij të mrekullueshme ai është një rast frymëzimi. Dëshiroj të theksoj se nuk ndodh shpesh të intervistosh njerëz intelektualë dhe profesionistë të vërtetë si z.Shametaj ku me fanatizëm flet vetëm mbi efikasitetin e veprave dhe projekteve që organizon ndër vite. Eltoni është një emër jo i panjohur për botën e sportit të karatesë, një ndër kampionët e karatesë në Shqipëri, e si një kampion i vërtetë, jetën e tij ia ka dedikuar një misioni aspak të lehtë, por që atë vetë e lumturon dhe e motivon në punën e tij të përditshme.
Emri i tij është një krenari shqiptare për komunitetin shqiptaro-amerikan, ku njihet dhe për veprat e mira që mbajnë emrin e tij e vlen të përmend mbrëmjen e fundit gala të 6 shkurtit, një natë kushtuar oficerëve të policisë së NY dhe NJ, ku në bashkëpunimin me ‘Albanian American Culture Center’ sollën një risi dhe aktivitet komplet ndryshe, dhe u ndanë çmime për Policët e Vitit, për rëndësinë e tyre në shërbimin ndaj komunitetit, gjithashtu nuk munguan as bursat për studentë. Një mbrëmje që bëri bashkë ajkën e Diasporës, kongresmenë e senatorë, personalitete e zyrtarë të nivelit më të lartë të policisë amerikane, artistë, gazetarë e shumë personazhe të tjera të njohura si dhe politikanë nga Shqipëria dhe Kosova, ku nderoi me shkëlqesinë e tij z.Ramush Haradinaj në këtë mbrëmje dhe u nderua nga policia amerikane me një çmim tepër të rëndësishëm ‘Dedicated Loyalty and commitment to Albanian American law enforcement’. Ky ishte një tjetër projekt i suksesshëm i z.Shametaj, ku nuk lë pa falënderuar dhe bashkëpunëtorët e tij si z.Burim Zuta, dhe çdo iniciator tjetër që kanë kontribuar në këtë event.
Vitin tjetër, bordi drejtues dhe gjithë veprimtarët e kësaj organizate do të sigurojnë prezencën e guvernatorit të Nju Xhersit, si mik i ngushtë i shqiptarëve në mbrëmjen e ardhshme gala do shënohet një tjetër rëndësi për policët shqiptaro-amerikanë ,tregon Shametaj. Ai thekson se në çdo qytet kryesor të Nju Xhersit ka nga 3 ose 4 policë shqiptarë që mbulojnë departamentet kryesore të qyteteve ku jetojnë.
Si në rastin konkret të dy policëve shqiptar vëllezërit Drishti, të cilët kanë lindur në Amerikë, me prindër shqiptarë nga qyteti i Shkodrës, emrat e të cilëve janë një krenari e madhe për qytetin Hoboken në NJ dhe komunitetin e tij, ku Edmondi dhe vëllai i tij shërbejnë prej 20 vjetësh me profesionalizëm dhe dinjitet, një tjetër histori suksesi që së shpejti në një intervistë ekskluzive do vijë në dritare.net si një tjetër shembull i shqiptarëve nëpër botë.
Ndër të tjera Eltoni ka rrëfyer rëndësinë e bashkëpunimit mes policisë shqiptare dhe asaj amerikane ka qenë gjithnjë i frytshëm. Madje ai flet tepër entuziast për antiterrorin e policisë në Shqipëri, i cili e quan një shembull të mirë për gjithë Ballkanin. Drejtoria e Antiterrorit bën një punë të shkëlqyer dhe përgëzon me mirënjohje të madhe përkushtimin e z. Gledis Nano, kreun e kësaj drejtorie.
“Është një vlerë e madhe për Policinë e Shtetit në Shqipëri, është një shembull kaq i denjë, tepër profesionist. Gledis ka mbaruar studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në radhët e studentëve më të mirë të FBI, dhe e shpreh me krenari bindjen time që Gledisi ka kryer zbulimet e ngjarjeve dhe operacioneve më të mëdha me sukses dhe kjo Drejtori Operative Antiterrori është e një niveli të lartë.”, thotë Shametaj. Përgjatë bisedës sonë, e kam pyetur Eltonin çfarë mendimi ka për kolegët e tij,dhe policinë e shtetit shqiptar,dhe si një ekspert, tepër i sinqertë më ka shprehur mirënjohje për çdo uniformë blu që vënë jetën çdo ditë në rrezik për mbrojtjen e qytetarëve të tyre i cili shpreh mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj uniformave blu shqiptare dhe kosovare.
“Qeveria Shqiptare, duhet të mbështesë policinë e saj, e jo t’i sabotojë sepse është krenari kombëtare.”,- thotë Shametaj.
“Duhet patjetër të ketë mbështetje ekskluzive të qeverisë pa e përfshirë atë në kahet politike, por t’i krijojë kushtet dhe reformat e duhura për një shtet sa më të fortë e të sigurt. Siç e përmenda dhe më lartë që këshillimi i ekspertëve të huaj në këtë fushë është një investim për ta, sa më shumë trajnime për policët shqiptarë sepse një eksperiencë e huaj amerikane apo evropiane do të ndihmojë drejt mbrojtjes e të drejtave e të lirive të qytetarëve. Jam shumë i lumtur të shoh fuqizimin e policisë shqiptare, dhe vlerësoj çdo pjesëtar të saj që sakrifikojnë duke u përballuar me krimin e organizuar çdo ditë dhe kjo polici meriton më shumë vëmendje të këtij rrugëtimi prej heronjsh që përmes kushteve minimale sërish bëjnë një punë dinjitoze ndaj çdo vështirësie të gjithanshme duke shërbyer me profesionalizëm e humanizëm në shërbim të qytetarëve e në zbatim të ligjit.”
– Një tjetër falënderim të madh Shametaj, e ka për ‘ICITAP’, Programi Ndërkombëtar për Trajnimet mbi Hetimet Kriminale të cilët bëjnë një punë tepër të mirë. “Dëshiroj që të ofrojnë më shumë mundësi dhe hapësirë policisë së Shqipërisë, të ndihmojë të përmbushë pritshmëritë dhe standardet e larta të policisë shqiptare dhe asaj të Kosovës. Deri më tani ICITAP-i i ka ofruar mbështetje Shqipërisë dhe Kosovës, por ende ka shumë për t’i dhënë nga profesionalizmi i saj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Të bashkëveprojnë dhe të ndajnë eksperiencat e dy vendeve e në këtë rast është një dobi e jashtëzakonshme për Shqipërinë, të përfitojnë sa më shumë nga seminaret e ndryshme që i ofron Shteti i Amerikës, me policinë më të madhe e më të mirë në botë.”,- përfundon ai. Duke falënderuar dritare.net dhe lexuesit e saj mesazhi i Shametaj është për një të ardhme sa më të bukur të Shqipërisë së Madhe dhe uron mbarësi për gjithë shqiptarët e Diasporës veçanërisht për komunitetin shqiptaro – amerikan të Nju -Xhersit dhe të Nju -Jorkut, përmes projekteve dhe aktiviteteve të tjera në vijim./dritare.net
-
Doktorpara 2 vjet
Dr. Visar Miftari-mjeku neurolog që të bën krenar në Tetovë
-
Doktorpara 2 vjet
Hemorroidet – Shkaqet dhe Simptomat
-
Vendipara 2 vjet
Sadat Jakupi nga Krushopeku i Shkupit merr titullin fëmija më i bukur në botë
-
Uncategorizedpara 2 vjet
Disa nga duatë [lutjet] për kërkimin e fëmijëve
-
Doktorpara 3 vjet
D-R SHABAN MEMETI, KIRURGU QË KTHEN SHPRESËN TEK FËMIJËT ME SËMUNDJE TË NDRYSHME
-
Doktorpara 3 vjet
D-r Ilir Ismaili, mjeku më i mirë shqiptar nga Maqedonia që lufton me sukses kancerin në gji
-
Vendipara 3 vjet
4 vjeçari HAMZA ALI nga Shishova e Shkupit humb dëgjimin , familja me lot në sy kërkon urgjentisht ndihmë 24.000 euro për operim në Turqi
-
Doktorpara 1 vit
dr.Shazivar Qerimi-kirurgu trauamatolog që paraqet model për profesionalizëm dhe modesti