Connect with us

Diaspora

Saimir Deda, suksesi i një shqiptari në Francë

Publikuar

Diaspora shqiptare e Francës nis që pas vdekjes së Skënderbeut, kur mijra arbëreshë u larguan nga pushtimi osman drejt Italisë dhe Greqisë, disa prej të cilëve përfunduan në Francë. Vazhdoi me stradiotët e famshëm (Merkur Bua, Gjergj Basta, Kostantin dhe Adrian Araniti, Skënderbeu i Ri, Demetrio Capusemati etj.). Gjatë viteve ’30, Franca, sidomos Lyoni u bë kryeqendra e antizogistëve dhe studentëve shqiptarë. Qyteti i Lyonit ishte kryeqendra e pritjes dhe e mobilizimit të luftëtarve nga Shqipëria që luftuan në Luftën Civile të Spanjës (korrik 1936-prill 1939) dhe qendra e protestave antifashiste ndaj agresionit italian në Shqipëri. Emigrimi i shqiptarëve në Francë vazhdoi edhe gjatë regjimit komunist, kur në Paris u strehuan qindra antikomunistë nga Shqipëria. Në Paris jetoi për 7 vite Familja Mbretërore Shqiptare (mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldinë). Në Francë gjeti strehim politik Esat Pashë Toptani, Ismail Qemali dhe familja e tij, Turhan Pashë Përmeti, Tedi Papavrami, Sadik Premte, Abaz Ermenji, shkrimtari i madh, Ismail Kadare, 4 princesha, 3 princër dhe qindra personalitete shqiptare. Pas rrëzimit të regjimit komunist dhe gjatë Luftës në Kosovë, Franca hapi dyert për mijra familje shqiptare që ikën nga Shqipëria dhe nga Lufta në Kosovë (28 shkurt 1998-11 qershor 1999). Trazirat civile të ’97-ës dhe ndërrimi i pushteteve politike në Shqipëri, veçanërisht pas 2010-ës shkaktuan një tjetër eksod të madh shqiptar drejt Francës, duke e bërë vendin e frankëve, vendin me numrin më të madh të azilantëve shqiptarë në 10 vitet e fundit.

Qyteti me komunitetin më të madh shqiptar në Francë është Lyoni. Shqiptarët e Lionit janë shumë punëtorë, të zgjuar dhe duarartë. Midis tyre gjen biznesmenë, sipërmarrës, artistë (Alketa Çela, Zoi Kumati), piktorë (Klement Sina, Glejdis Spahiu), muzikantë, arkitektë, juristë, gazetarë (Avni Azizi), sportistë (Xherdan Shaqiri), shkrimtarë (Rina Çela-Grasset), poetë (Ramadan Bozhlani), përkthyes (Genc Burimi), mjeshtër në fushën e ndërtimit (Alket dhe Lumturi Rizvani, Fatlind Klaiqi, Lutfi Ferati, Dikë Hysa, Ylber Hysa, Festim Memaçi, Klajdi Peti, Namik Rexha, Dyli Vata, Franc Sina, Rej Manaj, Qemal Kërnaj, Klajdi Tota, Gëzim Hila), kuzhinierë të famshëm (Armand Hasanpapaj), themelues shoqatash (Sherif Basha, themeluesi i shoqatës Iliria), etj. Midis shqiptarëve në Lyon, spikat veçanërisht Saimir Deda, biznesmen dhe administrator shumë i suksesshëm.

NGA DIBRA E LARGËT, NË ATDHEUN E NAPOLEON BONAPARTIT

Sajmiri ka lindur në Shullan të Kalasë së Dodës në një familje të njohur dibrane. Në vitin 1978 vendoset familjerisht në Torovicë të Lezhës. Pas dy vitesh vendoset në Tiranë ku martohet dhe bëhet me fëmijë. Pas rrëzimit të regjimit komunist më 1990 merret me biznes, duke ndjekur rrugën e të atit, i cili ka qenë tregtar i njohur në Dibër. Bashkë me znj. Aida Tançiça, hapin pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë Bar-Restorantin “La Fontana”. Falë investimeve të mëdha, cilësisë së shërbimit dhe kushteve moderne, ky bar u bë ndër lokalet më të preferuara për elitën e kryeqytetit, veçanërisht për artistët, politikanët, studentët, por edhe për kategoritë e tjera shoqërore. Krahas këtij biznesi, Sajmiri ushtroi edhe detyra të larta administrative. Ka qenë President i “Sara Trans”, drejtor i “Alba Trans” (Transporti Urban Tiranë), administrator i përgjithshëm për linjën e transportit urban “Kristal -Qendër” dhe për linjën e Lundrës (2011-2015), si dhe kryeplak i fshatit Sauk për 8 vite. Në shtator të 2015-ës u detyrua të largohet familjerisht nga atdheu. Nga viti 2015 banon në Lyon, qyteti i tretë më i madh në Francë pas Parisit dhe Marsejës. Në Lyon, ai është pronar i dy bar-restoranteve të njohura në Lyon. Lyoni njihet si kryeqyteti gastronomik i Francës dhe i botës.

Lexo edhe :  55% e shqiptarëve dakord me zgjedhjen e Bajram Begajt

NJË IKJE DRAMATIKE NGA ATDHEU DHE NJË START I VRULLSHËM NË DHE TË HUAJ

…Sajmiri u largua nga Shqipëria në shtator të 2015-ës duke marrë me vete bashkëshorten dhe tre fëmijët. Vendoset në Lyon të Francës ku pritet nga gazetari i njohur, Genc Çobani, i cili prej shumë vitesh banon në Lyon dhe punon si përkthyes. Pas një viti, përfiton familjerisht lejën afatgjatë të qëndrimit dhe menjëherë hap biznesin e tij të parë, Bar “La Station” pranë metro Garde Vaise. Pas dy vitesh hap biznesin e dytë, “Louis Bar, e pagëzon me emrin e djalit të tij që lindi në Lyon. Bizneset e tij frekuentohen nga vendas dhe nga shqiptarë, të cilët krenohen me sukseset e Sajmirit, pasi nuk është e lehtë të hapësh dy biznese në Francë brenda dy vitesh, kur mijra shqiptarë dhe të huaj që kanë vite në Francë mezi sigurojnë të ardhura për jetesë. Shqiptarët krenohen për sukseset e bashkombasit të tyre, por lumturinë më të madhe e ndien shoku më i mirë i Sajmirit, Alket Rizvani nga Dibra, i cili prej 7 vitesh banon në Lyon. Fjalë shumë të mira për Sajmirin më thotë edhe Fatlind Klaiqi nga Kosova, i cili është një nga miqtë më të mirë të tij. “Shqiptarët janë shumë të zotë. Kudo që shkojnë korrin veç suksese. Këtu në Lyon nuk jam vetëm unë që kam biznese, por ka dhe plot shqiptarë të tjerë me biznese dhe firma ndërtimi ku punojnë shumë shqiptarë”, më thotë Sajmiri gjatë bisedës me të në “Bar Station”. Kjo dëshmon se Sajmiri nuk është xheloz për punën e shqiptarëve të tjerë, përkundrazi krenohet me ta. Nga ana tjetër, nuk pajtohet me dikë që del në televizion dhe thotë se shqiptarët janë “dembela”. Përveç suksesit në fushën e sipërmarrjes, Sajmiri ka provuar në Francë edhe shumë gëzime të bukura personale dhe familjare. Në Francë është shtuar me një djalë, Luisin, i lindur në Lyon, si dhe është bërë gjysh, pasi vajza e tij në Lyon është bërë nënë për herë të parë. Sajmiri është një bashkëshort dhe baba i mrekullueshëm. Ai ka 4 fëmijë: Arjola, Denisi, Sara dhe Luisi. Është diplomuar në shkollën e mesme të përgjithme “Kostandin Kristoforidhi” në Tiranë dhe ka studiuar për tre vjet për juridik në Universitetin e Shkodrës. I ndërpreu studimet përshkak se iku familjerisht në Francë.

ARTDASHËS DHE MIK I MADH I ARTISTËVE NË SHQIPËRI DHE NË FRANCË

Sajmiri është një artdashës i madh dhe mik i artistëve. Bar-restorantet e tij në Francë dhe në Shqipëri, përgjithësisht frekuentohen nga artistë të njohur, ku veçohet aktorët e mëdhenj Bujar Asqeriu, Ndriçim Xhepa dhe Xhevahir Zeneli, këngëtari i famshëm i muzikës popullore, Meda, piktori, skulptori dhe fotografi i njohur me banim në Lyon, Klement Sina etj. Baret e tij në Francë, veçanërisht “Bar Louis” mbushen mbrëmjeve, veçanërisht  në fundjavë plot me nxënës dhe studentë të muzikës në Lyon që performojnë dhe luajnë në vegla muzikore. “Bar Louis” quhet ndryshe “Lokali  i artistëve”. Dashuria e Sajmirit për artin nis që në Shqipëri kur në lokalin e tij luksoz, “La Fontana” në Tiranë ishin klientë aktorët më të njohur shqiptarë si, Bujar Asqeriu, Ndriçim Xhepa, Xhevahir Spahiu etj. Lokali i tij frekuentohej edhe nga presidentë dhe ministra, si ish presidenti, Bujar Nishani, ish ministri, Fatmir Xhafa dhe zv.ministri, Eno Bozo. Edhe në baret e tij në Lion ka klientë të rangut të lartë, ku veçohet ish kryebashkiaku i parafundit i Lyonit. Sajmiri është shumë i apasionuar pas historisë, sidomos për historinë e Lyonit dhe për personalitetet shqiptare që kanë jetuar në Lyon. Ai më thotë se pranë biznesit të tij ka jetuar familjerisht në vitet ’30-të, Gogo Nushi (1913-197), zv/Kryeministër i Shqipërisë. gjatë regjimit komunist.

Continue Reading

Aktuale