Shkup, 15 qershor – Prokuroria Themelore ka ngritur aktakuzë kundër dy gjinekologeve nga spitali “D-r Trifun Panovski” në Manastir, pasi të njëjtit dyshohet se nuk kanë vepruar si duhet dhe kanë shkaktuar vdekjen e një foshnje.
Konkretisht, gjinekologët akuzohen për vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve, shkelje të nenit 217, paragrafi 4, nga neni 207, paragrafi 1 dhe 3 nga Kodi Penal.
“Lehona është pranuar për lindje më datë 12.10.2019 rreth orës 17:00 në Repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Spitalin Klinik në Manastir, ku kujdestarë kanë qenë të akuzuarit.
Ndërhyrja në maternitet është kryer rreth orës 06:30 të datës 13.10.2019, gjatë së cilës ka lindur një fetus–fëmijë femër me peshë lindjeje 3550 gram dhe gjatësi 48 centimetra në gjendje shumë të rëndë, e cila ka ndërruar jetë pak më vonë pas lindjes për shkak të mungesës së oksigjenit në mitër”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.